Tërmkolli: Liria është Drejtësi, mashtrimi e gënjeshtra nuk e bëjnë dot lirinë

Lajme
10:28 | 18 Nëntor 2020

Anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli është deklaruar për versionin e saj për liri, e cila është bërë pjesë e një fushate në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së të cilët po akuzohen në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Tërmkolli në shkrimin e saj të publikuar së fundi me titull ‘’’Liria si emër kuptimi’’’, i ka dhënë disa epitete lirisë, ndër të cilat thotë se ‘’Liria është Drejtësi! Është respektim i ligjit e rendit’’. Ajo shtoi se emri i vërtetë i lirisë është Liria e vërtetë dhe se kuptimin ia japim ne, me punë e me vepra.

Shkrimi i plotë:

Liria si emër kuptimi! Liria është vlerë. E të gjithëve. Liria ka emër kuptimi. Kuptimi i lirisë është vlera e saj për të gjithë.
Liria është e Vërteta! Mashtrimi e gënjeshtra nuk e bëjnë dot lirinë. Lirinë e Paqen nuk ditëm a nuk dashtëm ta ndërtojmë.
Liria është Jetë! Nuk e ka kuptimin e saj, liria, në vendin në të cilin shumica e njerëzve luftojnë për ekzistencë, për jetesë e mbijetesë. Liria është zhvillim e begati.

Liria është Dije! Dhe krijim i mundësive për të vënë në funksion dijen dhe aftësitë e individit për zhvillim e përparim. Liria nuk ka kuptimin e saj aty ku dija “mashtrohet” me letra boshe. Liria është Dinjitet! Dinjitet individual njerëzor, dinjitet kombëtar, dinjitet shtetëror. Në vendin ku dinjiteti matet me masën e grabitjes së shtetit e popullit, liria nuk e ka kuptimin e saj. Dinjiteti nuk është post politik a shtetëror, as pasurim i paligjshëm, as fuqia që të japin këto të dyja. Është zotërim dhe respektim i vlerave njerëzore individuale e kombëtare. Është autoritet jo autoritar. Liria është Dashuri! Në vendin ku dashuria në masë të madhe është shfaqje e shpërfytyruar kozmetike, liria nuk e ka kuptimin e saj. Liria nuk është mundësi për fyerje, denigrim, poshtërim, akuza e ofendime me njëri tjetrin, deri në copëtim.

Liria është Mendje e Shpirt i lirë! Liria nuk ka kuptimin e saj në vendin ku sundimtari/ët rrënojnë e rrëmojnë shpirtin e tjerëve, e kontrollojnë jetën e tjerëve me tendencën për të kontrolluar edhe mendjen e tyre. Liria është Besim! Nuk e ka kuptimin e saj liria, në vendin nga i cili ikin qytetarët e vet, të kamur e të pakamur. Në vendin të cilin qytetarët nuk e ndiejnë vend të vetin, liria nuk e ka kuptimin e saj. Liria është Drejtësi! Është respektim i ligjit e rendit. Në vendin ku individi- i forti është mbi ligjin e mbi shtetin, liria nuk e ka kuptimin e saj. Liria është personale e kombëtare por personalizimi ose “privatizimi” i saj, është uzurpim i lirisë. Emri i vërtetë i lirisë është Liria e vërtetë. Kuptimin ia japim ne, me punë, me vepra! #MT

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.