Takoi krerët e shtetit e në konferenca kritikoi ish-bashkëpartiakët, Osmani e vlerëson të suksesshme vizitën treditore në Shqipëri

Lajme
19:27 | 18 Dhjetor 2020

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se nuk ka vërejtur asnjë tension gjatë vizitës së saj tri-ditore në Tiranë. Sipas saj, ajo ka shkuar atje që të kërkojë ndihmë, pasi që Kosova gjendet në një fazë të vështirë të ballafaqimit me Gjykatën Speciale. Ajo shtoi se nuk asgjë që mund të tensionojë kryeministrin Edi Rama, dhe se në Shqipëri ka shkuar si përfaqësuese e Kosovës.

Osmani është pyetur për takimin që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Sipas saj, ka pasur mikpritje nga të gjithë ata që ka vizituar. “Unë nuk kam vërejtur asnjë tension, kam pasur një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë, një mikpritje shumë domethënëse me presidentin Meta, i cili edhe më ka ftuar ta bëjë këtë vizitë. Kemi pasur takim shumë substancial me të, dhe jo vetëm ne të dy por edhe ekipet tona kanë pasur mundësinë të diskutojnë bashkëpunimin tonë dhe domosdoshmërinë që nga çështja e pandemisë, vaksinat që duhet të furnizoheshim, e deri te tema e dialogut, delegacioneve, vizitave, temat që ne i shtrojmë në këto vizita. Gjithçka kemi diskutuar në rrethana mikpritëse të jashtëzakonshme”, theksoi ajo.

Veç tjerash, ushtruesja në detyrë e presidentit tha se nuk ka marrë përgjigje nga kryeministri Edi Rama lidhur me rezolutën për gjenocidin, duke shtuar se këtë përkrahje e morri nga presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci. Këso pritje tha se ka pasur edhe në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryeministri.

“Çfarë raporti kam me zotëri Rama në baza personale është tërësisht e pa rëndësishme. Unë këtu nuk jam në cilësinë personale, kam ardhur në cilësi zyrtare, si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, si ushtruese e detyrës së presidentit, dhe si kryetare e Kuvendit. Pse nuk ka ardhur sërish, do të duhej të përgjigjej vetë kryeministri Rama, dhe do të duhej të komentohej ajo. Ajo çfarë kam thënë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, edhe në konferencë për shtyp nuk ka asgjë të pavërtetë, dhe nuk ka arsye që të tensionojë në radhë të dytë. Në qoftë se ne dëshirojmë që të përparojmë në raportet tona, nëse ne dëshirojmë që të jemi më efektiv në këtë bashkëpunim, në qoftë se ne dëshirojmë që zëri ynë të dëgjohet më shumë, zërat duhet t’i bashkojmë. Dhe ky ka qenë qëllimi që nga dita e parë, dhe kjo do të jetë edhe tash e tutje”, theksoi ajo.

Tutje, ajo tha se ka insistime të mëdha për Asociacionin me komunat serbe. “Mund të ndodhë që të gjitha këto po bëhen, që në fund të thuhet që në qoftë se këto qenkan kaq të rrezikshme, eja t’i kthehemi prapë idesë së ndryshimit të kufijve. Sepse shpesh herë janë përdorur strategji të tilla. Ju e dini ka pasur edhe publikime të disa OJQ-ve ndërkombëtare të cilat kanë promovuar rikthimin e idesë së ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit territorial. Dhe këto nuk ndodhin krejt rastësisht, të jeni të sigurt. Zakonisht idetë fillojnë kështu nga një OJQ ose organizatë që merren me çështjet e politikës së jashtme, pastaj ato promovohen nga katër-pesë diplomatë, dhe pastaj e gjejnë dikë herë në Kosovë, herë diku tjetër, që e promovojnë këtë ide, dhe në fund përfundojnë në tavolinën e dialogut Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Osmani.

Osmani tha se ka ardhur në Shqipëri, që të kërkojë ndihmën nga ky vend, meqë Kosova po ballafaqohet me pretendime për krime.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.