Qeveria shtyen edhe për disa kohë rihapjen e bastoreve dhe lojërave tjera të fatit

Lajme
15:02 | 13 Nëntor 2020

Lojërat e fatit do të mbesin të paligjshme edhe për një kohë në Kosovë.

Kjo pasi që qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, e ka shtyer afatin e miratimit në qeveri të Projektligjit për Lotarinë e Kosovës. Projektligji në fjalë kishte 30 nene, dhe shpjegonte në tërësi se si do të funksionojnë lojërat e fatit në të ardhmen. Sipas projektligjit në fjalë, e drejta ekskluzive e organizimit të lojërave të fatit i lihej vetëm lotarisë së Kosovës.

“Në kapitullin e tretë të këtij Projektligji rregullohen çështjet e funksionimit të Lotarisë, ku përcaktohet që Lotaria ka subjektivitet juridik dhe ekskluzivitet në organizimin e lojërave të fatit, pa të drejtë delegimi apo autorizimi të subjekteve tjera”, thuhej në dokumentin shpjegues të Qeverisë së Kosovës për Projektligjin për Lotarinë. “Lotaria është institucion i vetëm në Republikën e Kosovës e cila ka autorizim për organizimin e lojërave e fatit në Republikën e Kosovës”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 17.

Projektligji për Lotarinë e Kosovë tutje shpjegonte edhe për llojet e lojërave të fatit të cilat do të jenë nën menaxhimin e Lotarisë së Kosovës, dhe të cilat përfshinin lojëra numerike, prognoza sportive(bastore), dhe lojëra të tjera të ngjashme. “Lojërat numerike, Lotaria instant/ekspres, prognozat sportive, bastet në numra apo ngjarje tjera dhe Lojëra tjera të ngjashme ku rezultatet bazohen në rastësi”, thuhej aty. Me vendimin e sotëm të qeverisë, rihapja e lojërave të fatit pritet të ndodhë në një të ardhme më të largët. Pas votimit në qeveri, projektligji në fjalë duhet të shkojë në Kuvend për miratim, nga ku edhe duhet të kalojë në dy lexime.

Ndryshe, Ligji që ndalonte lojërat e fatit kishte hyrë në fuqi më 10 maj të vitit të kaluar. Kjo kishte ndodhur pas disa rasteve kriminale nëpër disa kazino në Kosovë, të cilat kishin qenë cak i grabitjeve të armatosura, e ku ishin shënuar edhe viktima. Ndryshe, nga Programi Legjislativ i vitit 2020 është tërhequr Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave; Projektligji për Agjencinë e Tatimeve dhe Doganës; Projektligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat; Projektligji për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare jo Bankare; Projektligji për Tatim në të Ardhurat Personale; dhe Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Të njëjtat janë bartur në programin e vitit 2021.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.