Pagjumësia, shkaqet dhe trajtimi

Fun
00:57 | 19 Korrik 2020

Pagjumësia është një problem me të cilin përballen mijëra njerëz. Shkaqet mund të jenë disa, duke nisur që nga stresi, ankthi dhe depresioni deri te përdorimi i disa ilaçeve. Në disa raste mund të shfaqet pagjumësia kronike, e cila kurohet me ilaçe, por ekzistojnë edhe kurat natyrale.

Shkaqet

Shkaqet e pagjumësisë janë nga më të ndryshmet. Në disa raste është stresi arsyeja pse nuk na zë gjumi. Një jetë me ritme të shfrenuara nuk favorizon qetësimin dhe gjumin. Në disa raste, në bazë të pagjumësisë qëndrojnë ankthi dhe depresioni.

Edhe disa lloj ilaçesh mund të kenë një efekt negativ në shfaqjen e pagjumësisë. Disa prej tyre janë ato që përdoren për të trajtuar depresionin, ftohjen, alergjitë, astmën dhe hipertensionin.

Shkak për pagjumësinë mund të bëhen edhe disa patologji si shqetësimet gastrointestinale, djegiet e stomakut, aktiviteti i shtuar i gjëndrës tiroide, dhimbja kronike etj. Ndikim kanë edhe menopauza dhe ndryshimet hormonale. Gjithashtu, pagjumësia mund të nxitet edhe nga faktorët ambientalë si zhurmat, drita dhe temperatura e dhomës së gjumit.

Trajtimi

Për një gjumë të mirë dhe të rehatshëm duhet fillimisht të ekzistojnë kushtet e përshtatshme të dhomës ku flihet. Duhet shmangur ekspozimi ndaj dritës dhe krevati duhet të jetë komod. Rëndësi ka edhe pasja e një orari të rregullt gjumi dhe ruajtja e raportit kohë zgjuar / kohë në gjumë.

Terapitë e grupit për personat që vuajnë nga pagjumësia funksionojnë mbi bazën e fshirjes së mendimeve negative dhe përpjekjes për t’u qetësuar. Gjithashtu janë të këshillueshme banjat me ujë të vakët apo pirja e një gote qumësht të ngrohtë. Edhe ushqimi ka një rol të dukshëm në shtyrjen e orarit të gjumit. Për këtë arsye këshillohet që në darkë të shmangen cigaret, alkooli dhe ushqimi i bollshëm. Aktiviteti fizik është gjithashtu i rëndësishëm, pasi ndikon dukshëm në një gjumë të rehatshëm. Një ndër gjërat që duhen shmangur kur vuajmë nga pagjumësia janë pajisjet teknologjike si televizori, kompjuteri apo telefoni, të cilat këshillohet të mbahen larg dhomës së gjumit.

Ilaçet

Është i domosdoshëm këshillimi me një mjek para se të merren ilaçe kundër pagjumësisë. Preparatet që ekzistojnë në farmaci kundër pagjumësisë kanë shpesh efekte anësore si gjumi i tepërt, çrregullime në përqendrim  apo varësi. Në përgjithësi, medikamentet që përdoren janë:diazepam, lorazepam, nitrazepam, temazepam e flunitrazepam. Por para përdorimit të ilaçeve të tilla duhet përcaktuar qartë nëse pagjumësia mund të shërohet me ndryshimin e stilit të jetës ose me produkte natyrale si çajrat me livando, kamomil apo integratorë melatonine.

 

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.