Ndonëse asnjë parti s’po e përkrah, AAK vazhdon lobimin për Haradinajn president

E fundit
18:46 | 12 Dhjetor 2020

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon të insistojë që kryetari i saj, Ramush Haradinaj të jetë president i ri i vendit.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi që vjen nga AAK, ka lavdëruar tiparet e shefit të tij në parti, duke thënë se Haradinaj është një vlerë e shtuar që përbën denjësisht një kandidat për president. Ai ka thënë se Haradinaj është person unifikues, edhe se këtë sipas tij e ka dëshmuar edhe në dy mandatet që ka pasur si kryeministër.

“Unë kam punuar në presidencë më herët, andaj i di mirë kushtet formale për të qenë president. I di nenet e Kushtetutës. Por e di mirë gjithashtu se nevojitet një vlerë e shtuar. Ajo ka të bëj me dimensionin e karakterit dhe lidershipit. Presidenti është unifikues, Ramush Haradinaj ka qenë gjithmonë unifikues edhe i spektrit politik të brendshëm, por edhe të jashtëm. Presidenti duhet të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve. Gjatë dy mandateve të Haradinajt si kryeministër kemi pasë një garantim të këtij funksionimi”, ka thënë ai.

Ndryshe, Kosova ka hyrë tashmë në një situatë të paqartë politike, pasi partitë nuk po kanë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit. Propozimi i AAK-së aktualisht nuk po përkrahet nga asnjëra prej partive të mëdha në Kosovë, teksa partia opozitare, PDK ka thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat tjetër për president.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.