Mustafa i del në mbrojtje Bashës e Sali Berishës: Specialen nuk na e sollën ata, për të vendosi Kuvendi

Lajme
13:00 | 17 Nëntor 2020

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas polemikave rreth zhvillimeve të Speciales, ku pas të cilave kanë filluar akuzat ndaj zyrtarëve të Partisë Demokratike në Shqipëri, konkretisht ndaj kryetarit të saj, Lulzim Basha, se i njëjti ka kontribuar në hetimet kundër UÇK-së, e pastaj akuzat për fshehje të kasetës me incizimet e masakrës së Krushës së Madhe.

Me anë të një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se Shqipëria i doli në krah Kosovës në rrugën e saj për çlirim dhe shtetndërtim. Siç është shprehur i pari i LDK-së, ky kontribut i Shqipërisë s’është ndalur as në kohën e socialistëve, mirëpo as në të demokratëve.

“E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë. Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte”, ka shkruar Mustafa. Madje ka thënë se për Kosovën dhe shoqërinë në përgjithësi, duhet të jetë nder prezenca e shqiptarëve në misionin e UNMIK-ut.

Postimi i plotë: Të nderuar qytetarë, Shqipëria i doli në krah Kosovës në në kohët më të vështira rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit, si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve. Nëntë vite kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999, dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim.

E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.
Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.

Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike. Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.