Kurti më në fund flet për aktakuzat e Speciales, u del në mbrojtje Thaçit e Veselit: Nuk kanë bërë krime lufte

Lajme
11:42 | 15 Nëntor 2020

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar rreth aktakuzave të fundit që ka ngritur Gjykata Speciale.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më në fund ka folur rreth aktakuzave që Gjykata Speciale ka ngritur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një konferencë për medie, Kurti tha, se janë për keqardhje pretendimet e Speciales se gjoja UÇK-ja paska qenë strukturë kriminale.

Sipas tij, Specialja është e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK-në.

“Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup kriminal përbrenda, nuk qëndron… pra njëfarë strukture paralele brenda UÇK, thua se kemi pas edhe UÇK edhe ndërmarrje të përbashkët kriminale aty. Prokuroria e ka gabim, UÇK-ja nuk ka pasur ndërmarrje kriminale dhe as strukturë paralele siç po thotë prokuroria. Për të vërtetuar kjo prokurori se na paskan ekzistuar kjo strukturë paralele, ajo natyrisht se është dashur të thotë se ka pasur një strukturë paralele… sipas prokurorisë qëllimi nuk ishte i UÇK-së që ishte çlirimi, por që sipas kësaj gjykate qëllimi ka qenë të fitoj dhe ushtrojë kontrolle gjithandej Kosovës… po të thuhej se ndokush prej tyre ka pasur kontrollin në mars të vitit 2008 apo 2018 edhe mund të besohet por kurrsesi në mars të vitit 1998. Çlirimi ishte qëllimi e jo fitimi i kontrollit siç po pretendon gjykata….”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, të gjithë, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi u përfaqësuan nga avokatët më të mirë, por siç theksoi Kurti, është Qeveria e Kosovës ajo e cila duhet të angazhohet në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së. Por Kurti tha se këtë nuk mund ta bëj kjo qeveri, e cila siç theksoi ai, është jolegjitime.“Shteti i Kosovës duhet ta organizojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë që i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti, UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë…Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit të mbrojtjes. Mbrojtja dhe bashkërendimi duhet sinkronizohen. Për fat të keq Kosova nuk ka qeveri që mund ta bëj këtë. Për fat të keq, kjo qeveria e paligjshme qysh në fillim ka qenë e tillë me votat e listës serbe”, theksoi Kurti.

Ai kërkoi bashkëpunim nga të gjithë në raport me përballjen kundër Serbisë. Sipas Kurtit, të gjithë duhet të bashkohen në përkrahje të luftës çlirimtare dhe kundër Serbisë. “Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare dhe kundër Serbisë e cila nuk na njeh sepse është e pa penduar për krimet që i ka bërë në Kosovë”, deklaroi Kurti

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.