Katër ditë pasi u betua vendi shkoi drejt zgjedhjeve, ky është deputeti më “jetëshkurtër” i Kuvendit

Lajme
10:12 | 04 Janar 2021

Ditët e fundit të dhjetorit sollën një mori ndryshimesh në vend, e ndër to ishte edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e Qeverisë Hoti, si jo legjitime.

Të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese votuan pro kërkesës së bërë nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me paligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi. Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e qeverisë “nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Pas këtij vendimi, Vjosa Osmani si u.d e presidentes së Kosovës thirri në takim përfaqësuesit e partive politike në vend për të diskutuar nga afër datën e mundshme të zgjedhjeve të përgjithshme.

Në vendimin e Kushtetueses thuhej se 40 ditë është afati ligjor për caktimin e zgjedhjeve që nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare, gjë e cila nuk është bërë ende. Por ajo që është mjaftë interesante është fakti se njëri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës do të njihet si prej deputetëve më “jetëshkurtër” në këtë legjislaturë.

Me datën 18 dhjetor 2020, Taulant Kryeziu u betua si deputet i Kuvendit të Kosovës në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeziu u bë pjesë e Parlamentit të Kosovës pasi ish-deputeti i VV-së, Shpejtim Bulliqi u zgjodh Kryetar i Podujevës, pasi arriti që të fitojë shumicën e votave në zgjedhjet komunale të kësaj komune.

Ndryshe Kryeziu ishte shprehur falënderues ndaj Albin Kurtit që sipas tij i dha mundësinë për t’iu bashkuar VV-së si dhe për të ofruar një kontribut modest në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët e Kosovës. Por kjo arritshmëri e tij nuk dihet nëse do të zgjasë edhe pas zgjedhjeve dhe se sa do të arrijë të grumbullojë vota Kryeziu, në rast të kandidimit për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Duhet përkujtuar që legjislatura e fundit e Kuvendit të Kosovës pati ndryshime të mëdha nga ato që ishim mësuar t’i shohim më parë, kurse puna e kësaj legjislature ishte shumë e mangët dhe kjo më së shumti për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Grupi Parlamentar i VV-së arriti të ketë 31 deputetë, LDK 28 deputetë, PDK 24 e kështu me radhë. Shpesh herë seancat u zhvilluan online, e disa herë radhazi pati mungesa të deputetëve disa prej tyre të infektuarve me koronavirus, e disa prej tyre duke injoruar seancat me dëshirë.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të cilat me gjasë pritet të zhvillohen në fillim të muajit shkurt, mbetet të shihet se si do të jetë përbërja e re e Qeverisë së Kosovës si dhe e Parlamentit.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.