Greqia po sjell ushtrinë në kufi me Shqipërinë, ish-shefi i shtabit flet për Abcnews.al: Duan detin

Lajme
20:04 | 12 Nëntor 2020

Nga Dylber Balla

Lëvizja e papritur e Greqisë për të vendosur një postë ushtarake në ishullin Othonoi përballë Shqipërisë, sikur njoftoi gazeta greke “Ta Nea” ka nxitur reagimin në vendin tonë, pasi vjen në një moment kur dy vendet iu drejtuan gjykatës së Hagës për zgjidhjen e konfliktit të kufirit detar, por mbi të gjitha janë anëtarë të NATO-s dhe për Tiranën, Athina është partner strategjik.

Por si shpjegohet kjo lëvizje, nga kush rrezikohet Greqia, që kaloi në mbrojtje? Për të komentuar këtë lëvizje të Greqisë, Abcnews.al kontaktoi me dy ish-shefa të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Maksim Malaj thotë se Greqia nuk ka asnjë rrezik nga Shqipëria. Ai zbulon sipas tij arsyen e vendosjes së postës ushtarake, që lidhet me kufirin detar.

“Ata (Greqia) e bëjnë se duan ta shfrytëzojnë për kufirin detar. Ajo duke e sjellë aty e quan zonë të banuar atë ishull dhe e shfrytëzon nesër, pasnesër dhe thonë unë kam njerëz aty, që banojnë, është imja. Faktikisht ai (ishulli) ka qenë i braktisur. Tani po çojnë trupa për të justifikuar lëvizjen se është i banueshëm. Kjo është, se rrezik nga ne (Shqipëria) nuk ka. Ky është mendimi im” tha Malaj.

Por nuk është i këtij mendimi, ish-shefi tjetër i shtabit të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku. I kontaktuar nga Abcnews.al, ai thotë se e gjitha është për peshë mediatike dhe se kjo lëvizje e Athinës, nëse do të konkretizohet nuk do të ketë asnjë ndikim të zgjidhja e kufirit detar.

“Nuk është vendosur asnjë postë atje, është plan ide. Përpara se të japim një koment apo qëndrim duhet të kemi informacionin e plotë; e para nuk ka asnjë postë të vendosur, janë më shumë mediatike, nuk e dimë qëllimin dhe hapat, e dyta, Greqia dhe Shqipëria si vende në NATO nuk kanë asnjë rrezik të identifikuar nga njëra tjera.

Cfarë do që të jetë një postë me 10-12 ushtarë nuk rrit as sigurinë e Greqisë nga Shqipëria apo kërcënon Shqipërinë nga Greqia. Një postë policie, ushtrie, kërkesë e banorëve, vlerësim, nuk duhet ti japim vëmendje kaq të madhe, është e parëndësishme. Është më shumë peshë mediatike se ushtarake. Janë pa vlera, është më shumë mediatike“.

Por ai shikon ai një prapaskenë që mund të lidhet me kufirin detar? “Jo, jo! Zgjidhja e detit do të bëhet me marrëveshje ligjore të pranuara nga konventat ndërkombëtare. As nuk e merr detin Greqia duke shtuar 10 ushtarë, zgjidhja do të jetë në bazë të një marrëveshje sikur kanë rënë dakord në gjykatë ndërkombëtare.

Deti ka qenë dhe do të jetë aty. Nuk është gjë për t’u shqetësuar, shumë zhurmë për asgjë” deklaroi ai. Ishulli ku Greqia do të vendosë postë ushtarake është i lakuar tashmë prej vitesh në politikën shqiptare për shkak të marrëveshjes së detit.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.