Gjykata Speciale refuzon lirimin me kusht të Sali Mustafës, ia vazhdon paraburgimin edhe për dy muaj

E fundit
09:27 | 24 Nëntor 2020

Gjykatësi i procedurës paraprake në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë, Nicolas Guillou ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin me kusht të ish-eprorit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Kësisoj Mustafa vazhdon të mbetet në paraburgim.

Ky vendim u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara ku ndër arsyet e refuzimit përmendet se “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, që i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do të lehtësojnë çdo përpjekje për të ikur; pengojnë procedurat përmes ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë, ose të kryejë krime të mëtejshme”. Gjykatësi Nicolas Guillou urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Sali Mustafën deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Sali Mustafa është arrestuar më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi atij i ishte konfirmuar aktakuza nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat si: ndalim arbitrar, trajtim mizor të njerëzve , torturë dhe vrasje të paligjshme.

Mustafa ishte i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale, që nga themelimi i saj në vitin 2015. Pas Mustafës u arrestuan edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndërsa pas leximit të aktakuzave të gjithë u deklaruan të pafajshëm, në seanca të ndryshme gjyqësore.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.