Arti shqiptar humbi emrat më të mëdhenj gjatë vitit 2020

E fundit
09:27 | 02 Janar 2021

Viti 2020 vendosi të shënohet në kalendar si vit që la boshllëk të madh në art, pasi i mori disa prej figurave më të çmuara

Vitin 2020 e nisëm me humbjen e bilbilit të këngës shqipe dhe e mbyllëm me humbjen e një kolosi tjetër të muzikës së mirëfillt shqipe. Ata vdiqën për të mos u harruar kurrë, ndërsa veprat e tyre do të mbeten trashëgimi për brezat e ardhshëm.

Nexhmije Pagarusha

Bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, u nda nga jeta më 7 shkurt 2020. Ajo vdiq në moshën 86 vjeçare pas një sëmundje të shkurtër, duke lënë pas një karrierë të bujshme muzikore, e cila do të lë gjurmë ndër breza.

Pagarusha njihet për një karrierë të gjatë në muzikë dhe njëherësh ishte edhe aktore e shkëlqyeshme në film dhe teatër. Një ndër kryeveprat e Nexhmije Pagarushës është “Baresha”, e cila u kompozua nga Rexhep Mulliqi, me tekst të Rifat Kukajt.

Të tjera vepra të njohura të saj janë: “Ani mori nuse”, “Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, ”Ke selvitë”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Çil njat zemër plot kujtime”, “Dallëndyshe”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit”, etj.

Leze Qena

Një tjetër emër i njohur i kinematografisë, Leze Qena vdiq më 25 mars të vitit 2020. Ajo ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të bujshme në kinematografinë shqiptare. Aktorja kishte qenë në mjekim intenziv për disa ditë më radhë, ndërsa më 25 mars u largua nga kjo botë, duke lënë gjurmë të mëdha në artin shqiptar.

Leze Qena për më shumë se 60 vjet ka qenë pjesë e shfaqjeve teatrale në Kosovë dhe njihet për shumë role. Qena njihet për rolet në: “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët (viti 2000), “Po e zëm, po e zëm” (viti 1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (viti 1975), “I ikuri” (Viti 1980), “Shkolla e Fshatit” (1987), “Qesh e ngjesh” (1982), “Të gjithë me ne”, (2000), “Familja Moderne” (2001-2011), “Kombinati” (2012-2015), “Çka ka Shpija”, etj. Ajo ishte e martuar me aktorin Xhevat Qena, i cili vdiq më 2003.

Violetë Rexhepagiqi

Më 16 prill 2020, në moshën 45 vjeçare ka ndërruar jetë Violetë Rexhepagiqi. Për vite më radhë, Violeta ishte angazhuar si këngëtare, kompozitore dhe gazetare.

Për publikun u bë e njohur me paraqitjet në grupin e muzikës “Vivien”. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovisionit”. Rexhepagiqi njihet edhe për kontributin e madh që ka dhënë në fushën e gazetarisë, për ngjarjet që ndodhnin në Kosovën e paraluftës.

Adem Mikullovci

Më 15 shkurt, arti shqiptar mori një tjetër lajm të kobshëm, atë për vdekjen e Adem Mikullovcit. Aktor, regjisor, dramaturg, skenarist, producent ishin vetëm disa nga titujt që i kishte Mikullovci. Ai bëri një karierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.

Mikullovci njihet për rolet në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj.

Krahas aktrimit, aktori ishte i angazhuar edhe në politikë, më 1990 ishte në mesin e deputetëve që shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, ndërsa më 2017 ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, pasi iu bashkua Vetëvendosjes. Adem Mikullovci u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Ismet Peja

Ikona e muzikës shqiptare, Ismet Peja, ndërroi jetë më 23 nëntor të 2020-ës. Peja ishte këngëtar me karrierë të gjatë në skenën muzikore shqiptare, ndërsa këngët e tij interpretohen ndër vite. Ndër projektet më të njohura të tij janë “Knoma kangen sa t’jom gjallë”, “Robi plaket kur don vet”, e shumë të tjera. Doajeni i muzikës u mor me muzikë për gjashtë dekada, ndërsa njihej për interpretimin e këngëve të vjetra qytetare.

Avni Mula

Kompozitori i njohur shqiptar, Avni Mula vdiq më 29 tetor. Ai ishte emër shumë i njohur i teatrit operistik shqiptar. “Valsi i lumturisë”, mbetet vepra më e njohur e këtij kompozitori, por la pas edhe shumë vepra të tjera.

Ndërsa në mesin e interpretimve më të spikatura në karrierën e tij janë operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit, etj.

Isa Llapqeva

Më 2020, arti shqiptar humbi edhe rapsodin e njohur Isa Llapqeva. Ai vdiq në moshën 76 vjeçare, duke lënë pas shumë projekte rapsodike. “Odat tona janë kanë shkollë”, ishte projekti i fundit nga Llapqeva, në bashkëpunim me Ali Krasniqin dhe Halil Bytyqin, që u publikua në janar të 2020-ës.

Pavarësisht se shumë figura të njohura të artit dhe kulturës shqiptare u shuan gjatë vitit 2020, veprat e tyre do të mbesin trashëgimi për brezat e ardhshëm, ndërsa emrat e tyre do të kujtohen gjithmonë.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.