​PD i reagon deputetit Bekim Haxhiu, mohon akuzat ndaj Bashës gjatë punës në UNMIK

Lajme
10:56 | 15 Nëntor 2020

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, duke shprehur keqardhjen që ky i fundit i është bashkuar taktikave së mashtrimit dhe fabrikimeve të Edi Ramës, duke u bërë kështu pjesë e sulmeve të ulta e të rreme ndaj opozitës në Shqipëri.

PD nëpërmjet një komunikate për media, thotë se sulmet politike të Edi Ramës me deklarata të fabrikuara nuk janë kundër Lulzim Bashës, por kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri.

“Kreu i opozitës shqiptare është nderuar dhe do të vazhdojë të nderohet në Kosovë si një ndër shqiptarët që ka ndihmuar Kosovën në çastet më kritike të saj dhe ka bërë gjithçka për pavarësinë e saj. Të vetmit që flasin sot për shtëpi të verdhë dhe që i fryjnë përçarjes mes shqiptarëve, janë Edi Rama, Aleksandër Vuçië dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse. Duke u nisur nga deklaratat e deputetit Bekim Haxhiu, Partia Demokratike informon se Lulzim Basha, në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë fakt e ka konfirmuar të shtunën për RTV Ora edhe ish-kryeprokurori i EULEX, Ëilliamson. Duke dashur të kthejë në vëmendjen mbarëbotërore akuzat ndaj UÇK-së me shtëpinë e verdhë, fillimisht Edi Rama akuzoi Lulzim Bashën si pjesëmarrës, dhe më pas, me të njëjtat mekanizma mediatikë, e përgënjeshtroi vetveten duke thënë se ishte dikush tjetër. Është fakt se të ashtuquajturën shtëpinë e verdhë, veç Edi Rames dhe MPJ së Rusisë, sot nuk e përmend askush, sepse çdo hetim ndërkombëtar e ka faktuar si trillim. Më pas, Edi Rama manipuloi një qytetar për të thënë se kaseta e masakrës së Krushës së Madhe ishte zhdukur nga Lulzim Basha. Publikimet e medias prestigjioze britanike BBC e hedhin poshtë këtë mashtrim, duke treguar se personi në fjalë ua kishte dorëzuar atyre kasetën. Ky mashtrim u përgenjeshtrua po kështu nga ish-kryeprokurori i EULEX, Ëilliamson, i cili deklaroi se masakra e Krushës së Madhe u hetua plotësisht dhe ishte një nga akuzat kryesore në dosjen e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit”, thuhet në reagimin e PD-së.

Sipas PD-së, pasi dështoi në këto akuza, Edi Rama po përdor deputetin e PDK Haxhiu për mashtrimin e rradhës.

“Deklaratat e fabrikuara, si ato të deputetit Bekim Haxhiu apo të tjera në Tiranë dhe në Prishtinë nuk kanë asnjë të vërtetë. Ato bëhen për llogaritë elektorale të Edi Ramës, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Në vend që të fabrikojë deklarata të rreme kundër Lulzim Bashës, Edi Rama duhet t’u japë llogari shqiptarëve të Kosovës pse si Kryeministër i Shqipërisë dhe si Kryetar i OSBE-së po hesht ndaj kërcënimeve për luftë si në Nagorni-Karabak të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç apo për kërcënimin e Ivica Daçiç ndaj atyre që jepnin informacion mbi varrezat masive të shqiptarëve të zhdukur, të cilat ende gjenden sot në Serbi. Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve të Kosovës pse si Kryetar i OSBE-së nuk bëri asgjë për të kërkuar mision faktmbledhës për krimet serbe në Kosovë si dhe për shpopullimin e Luginës së Preshevës. Këto janë fakte. Gjithçka tjetër, e ngritur dhe e nxitur prej tij, është luftë antikombëtare për pushtet”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Materialet dhe informacionet në "MUZIKTURKE" nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit të portalit apo miratimin nga redaksia.

MUZIKTURKE, © 2020 Të gjitha të drejtat e rezervuara.